Sunday, March 15, 2009

Nga Shefki Hysa

Bilal Xhaferri
Jetëshkrim

Duhet të kem qenë në klasë të katërt a të pestë të shkollës fillore të vendlindjes sime, më kujtohet ashtu mjegullthi, kur për herë të parë kam lexuar një nga fragmentet e tregimeve të Bilal Xhaferrit… Ishte tregimi “Ti je partizane”, në mos gaboj… Ka kaluar një jetë dhe nuk më shqitet ende nga mendja ajo mbresë e thellë që më la… (Libri me tregimet e Bilalit “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” më ra në dorë aty nga vera e vitit 1982. Ma dha për ta lexuar fshehtas miku im, poeti Agim Mato, me të cilin diskutoja për krijimet e mia të para dhe për të ardhmen time si djalë i pasionuar me prejardhje nga një familje e padëshiruar për regjimin e atëhershëm komunist). Që atëherë fillova të interesohesha për shkrimtarin Bilal Xhaferri e për krijimtarinë e tij që sepse më tërhiqte çuditërisht aq shumë… Më dukej sikur i kisha përjetuar dikur diku në një jetë tjetër tërë ato pasqyrime të krijimtarisë së tij, apo sikur kishim arritur në të njëjtin përfundim njëkohësisht, pavarësisht se nuk njiheshim e nuk ishim takuar kurrë më parë, siç u ndodh jo rrallë disa shkencëtarëve, studiuesve apo artistëve që zbulojnë njëherësh të njëjtin ligj, bëjnë të njëjtën shpikje, shtrojnë të njëjtën tezë e hipotezë a realizojnë vepra që përcjellin të njëjtat mesazhe universale, pa ditur asgjë për ekzistencën e njëri-tjetrit… Dhe ky lloj rezultati telepatik, sepse më bënte më të menduar, më shtynte drejt një lloj filozofimi meditativ që më kujtonte se diku ndodhet një fuqi hyjnore e padukshme, pra, vetë Zoti që dikton rrjedhën e mendimeve dhe ndjesive tona dhe që ashtu mjegullthi sikur na zgjon ndjesinë e ekzistencës së shpirtrave binjakë që priren drejt njëri-tjetrit ashtu pakuptuar, megjithëse pluskojnë të vetmuar nëpër hapësirat e pafundme të Universit…

Dhe mësova ashtu pëshpërimthi se ishte bashkëkrahinari im, lindur më 3 nëntor 1935, në Ninat të Konispolit, zonë e krahinës së Çamërisë, pasardhës në fisin e dijetarit të shquar Hoxhë Hasan Tahsini. Një mal e ndante fshatin tim, Shalësin, nga Ninati…

Pra, me Bilalin ishim njëkohësisht kaq pranë dhe kaq larg… Ai i mërguar në gusht të vitit 1969 apo më saktë i “arratisur” prej Shqipërisë, sipas terminologjisë së kohës së Regjimit Komunist, i shpallur “armik” i Atdheut, kurse unë i humbur në hutesën e harresës, asaj shkretëtire mendore që na serviri komunizmi…

Armik i Atdheut!… Përfytyroni, ç’absurditet!… Krijuesi i “Baladës Çame”-armik i Atdheut!… A ka logjikë njerëzore ta besojë këtë veç asaj logjike që e shpiku, logjikës së përbindshave?!…
Mjaftohemi me kaq… Larg labirinteve… Larg përbindshave…

Po cilat janë disa nga karakteristikat thelbësore të jetës së poetit, prozatorit dhe publicistit disident, Bilal Xhaferri?…

Në moshën 8 vjeç i vdiq e ëma, kurse në moshën 10 vjeç, pushteti komunist i pushkatoi të atin nacionalist dhe ai mbeti jetim me tri motra, nën kujdesin e Ferik Hoxhës, gjyshit nga i ati. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, duke marrë dy klasë në një vit, më 1948 u largua për të gjetur punë në Sarandë, meqenëse nuk kishin asnjë mjet jetese, sidomos kur gjyshi u shpall kulak dhe e shpronësuan. Fillimisht gjeti një punë të rëndomtë në Sarandë; ngarkonte dhe shkarkonte qymyr në anijet e vogla, por, duke qenë i shkathët dhe i zgjuar, më vonë u punësua si korier në postë telegrafin e vendosur në ndërtesën ku kishte punuar doganier poeti rilindas Naim Frashëri. U strehua në familjen e hallës, e cila jetonte në një dhomë të vetme, prandaj shpesh detyrohej të flinte në lulishten buzë detit. Një herë në muaj, pasi merrte triskat, shkonte në Ninat te motrat duke ecur në këmbë dhjetëra kilometra. Për shkak të problemeve biografike, më 1952 e la Sarandën, u fut në hambarin e një anijeje dhe shkoi e u vendos në Durrës. Më 1954-1955 jetoi së bashku me motrën e vogël, Antikën, në një dhomë në Sukth të Durrësit. Aty ndiqnin të dy shkollën shtatëvjeçare, motra ditën, ndërsa ai natën, sepse punonte normist. Që në këtë kohë zuri të shkruante vargjet e para në copa letrash.

Ndërkohë kreu një shkollë teknike për ndërtim dhe u punësua në kantiere ndërtimi, në rruga-ura në Krujë, në hidrocentralin e Ulzës etj. Më 1962-1963 arriti të botojë poezitë dhe tregimet e para në "Zëri i Rinisë", "Drita", "Nëntori", "Ylli" etj. Shumë shkrimtarë dhe kritikë e afruan, e përkrahën dhe e ndihmuan që talenti i tij i spikatur të mos humbiste e të mos vyshkej nën peshën e pasojave të “biografisë së keqe”.

Kulmi i krijimtarisë së tij ishin vitet 1965-1968, kur iu botua vëllimi me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” (1966), vëllimi poetik “Lirishta e kuqe” (1967), i cili, ende pa dalë në qarkullim, u ndalua nga censura komuniste dhe u shndërrua në brumë kartoni. Në këtë periudhë shkroi dhe romanin “Krastakraus” (1967), të cilin e paraqiti për ta botuar.

Në vitin 1968, në një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku paraqitej romani “Dasma” i Ismail Kadaresë, Bilali e kritikoi ashpër këtë vepër të cilësuar nga kritika e kohës si “Hark Triumfi” i Metodës së Realizmit Socialist, gjë që zgjoi mërinë e censorëve partiakë, të cilët iu kundërvunë menjëherë, jo vetem duke i kujtuar pushkatimin e të atit, por edhe duke e kërcënuar me fatin që i priste të gjithë armiqtë e klasës. Pas kësaj e përjashtuan menjëherë nga radhët e Lidhjes, i hoqën të drejtën e botimit, u ndalua shpërndarja e librave të tij, u hoq nga libraritë dhe bibliotekat libri “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, u grisën shkrimet e tij nga koleksionet e gazetave dhe revistave, romani “Krastakraus” u arkivua nëpër arkivat e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, ndërsa vet Bilali, i mbikqyrur vazhdimisht, u internua në fshatin Hamallë të Durrësit, ku kreu punë krahu në bujqësi, i kërcënuar dita-ditës për t'u arrestuar.

Në këto rrethana tepër të vështira, në gusht 1969, së bashku me kunatin, Selfo Hoxhën, u largua prej Shqipërie, pikërisht, prej vendlindjes për në Greqi. Me vete kishte ca dorëshkrime, ndërkohë që mjaft prej krijimtarisë: poezi, tregime, roman, skenar filmi etj., ua kishte besuar gazetares Ballkiz Halili e poetit Namik Mane. Para se të largohej, shkroi një letër, që ua drejtonte ndjekësve dhe përndjekësve të tij.

Për gati gjashtë muaj u mbajt në kampin e refugjatëve në Janinë (Greqi), pastaj shkoi në SHBA i tërhequr prej patriotëve çamë si Skënder Xhelua e Rexhep Hoxha.

Punoi gati dy vjet në gazetën shqiptare “Dielli”, por për shkak të pikëpamjeve të ndryshme me botuesit e saj, u detyrua të largohej. Më 1971, prej Bostoni dërgoi për botim në Prishtinë, në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja” variantin e dytë, të romanit “Krastakraus”, me titullin “Ra Berati”, të cilin “Rilindja” pati mundësinë ta botonte vetëm më 1995, bashkë me vëllimin poetik “Eja trishtim” dhe vëllimin me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, ku janë përfshirë edhe tregime të tjera të botuara në Shqipëri dhe SHBA. Në letrën shoqëruese të dorëshkrimit të romanit thuhet: “Në përpjekjet e mia të afërta letrare kam menduar një përmbledhje me tregime nga jeta e sotme e popullit kosovar. Për të mbledhur materialet që do të më duhen të shkruaj këtë libër, shpresoj të vij për një vizitë në Kosovë vitin e ardhshëm”.

Në SHBA, për vite të tëra, Bilal Xhaferri u bë strumbullari i bashkimit të shqiptarëve të mërgimit, sidomos i mërgimtarëve çamë, të cilët në këtë periudhë u organizuan prej tij në organizatën Lidhja Çame, me qendër në Çikago, duke përtërirë traditën e mëparshme.

Në Çikago, në tetor të vitit 1974, krijoi edhe revistën “Krahu i Shqiponjës”, të cilën e pagëzoi, drejtoi, përgatiti dhe e botoi deri në fund të jetës. Në këtë revistë botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” (1975), fragmente të romanit “Hëna e kantierëve” (1977), skeçe për kurset e gjuhës shqipe që ishin ngritur pranë xhamive, teqeve apo kishave shqiptare, botoi vizatime e karikatura të tij, foto artistike e dokumentare të bëra prej tij etj. Edhe në SHBA shkroi skenare filmash. Në numrin e revistës ku u botua për herë të parë një fragment i romanit “Hëna e kantierëve”, njoftohet, gjithashtu, se nga ky roman po përgatiste një skenar për një film artistik me metrazh të plotë nën titullin e përshtatur në anglisht “The moon of the Contryside” që do të xhirohej nga një kompani e Hollivudit.

Nëpërmjet revistës “Krahu i Shqiponjës” u lidh me shumë atdhetarë në SHBA, Kanada, Evropë, Turqi e gjetkë, me gazeta dhe revista të Diasporës dhe po nëpërmjet saj dhe veprimtarisë së tij, ndikoi mjaft në afrimin, bashkimin dhe bashkëpunimin midis shqiptarëve të të gjitha trevave, prirjeve, partive dhe organizatave politike. “Krahu i Shqiponjës” u kthye në revistë kombëtare, mbahej me shkrimet e mërgimtarëve dhe u drejtohej të gjithë shqiptarëve.

Mbështetje të madhe vëllazërore, morale e materiale kishte sidomos prej shqiptarëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, prej partive dhe organizatave të tyre kombëtare, madje prej andej ishin edhe mjaft miq e bashkëpunëtorë të ngushtë të tij. Në një shënim falenderimi, në revistë shkruan: “Gjatë kësaj vere (1981) qëndrova disa muaj në Detroit. Midis shumë miqve, të cilët i falenderoj sinqerisht për mikpritjen e tyre vëllazërore, dua të përmend në mënyrë të veçantë Prof. Prenk Grudën.

Do ta ruaj në mendjen time si një kujtim të bukur kohën që kalova në shtëpinë e tij. Fisnikërinë karakteristike të shqiptarit, Prenka e shprehu thjesht dhe me një përzemërsi të çiltër kur erdhi në hotelin ku kisha zënë vend dhe më ftoi të banoja në shtëpinë e tij, duke më thënë: “Të vijsh njëlloj sikur vjen në shtëpinë tënde. Nuk ke përse të qindrosh në hotel. Paret që mund të prishësh këtu, ruaj që t'i përdorësh për revistën”. Ai më dha një çelës rezervë të shtëpisë së tij të bukur në periferi të Detroitit. Gjatë kohës që unë qëndrova në atë shtëpi e ndjeva veten vërtet si në shtëpine time” (“Krahu i Shqiponjës” 1981).

Po ky atdhetar që shkruante shpesh në revistën “Krahu i Shqiponjës” për çështjen kombëtare, që këmbente letra me Bilal Xhaferrin, i është gjendur afër edhe herë të tjera, e ka inkurajuar dhe i ka ofruar ndihmë të pakursyer. Në një letër (1985) i shkruan: “Qofshi shëndosh e mirë, siç ju dëshiron zemra. Me ju thanë të vërtetën, na ka marrë malli për ju. Dikush prej këtyne tonvet ka qenë në Çikago dhe ka pyet dikend aty për ju, po nuk i kanë thanë aspak fjalë të mira. I kanë thanë se nuk ke punë, as banesë, po je në hall të perëndisë, s'ke ku me ngranë e as ku me e kalue natën. Natyrisht, unë nuk e besoj kurrsesi që të kanë shkue punët kaq keq; i thash këtij që i solli këto fjalë prej Çikagos, mos me e bisedue ket gja me ndokend, se asht hata dhe e pabesueshme. Po unë e di, lum miku, se anmiqtë e ata që janë gojë hale flasin shka u lëshojnë dhambët. Lum vllau, bujrum te na këtu, e mirëse të vijsh si te vllaznit e tu.

Po ju nisi përkthimet prej disa gazetave gjermane, një artikull prej “Business welk” dhe një tjetër prej “New York Times” se ndoshta nuk keni pas rast me i pa.

Na shkruej, bre, burrë dy fjalë, sa me e dijt si ini, ose të lutem na thirr në telefon” (“Krahu i Shqiponjës” 1985, maj).

Pra, edhe në Amerikë, në vendin e lirisë së madhe, dikush e përndiqte dhe e ndëshkonte herë pas here për ta zhdukur atë bashkë me veprën e tij. Kështu, më 1978 e plagosën. Për këtë ngjarje tronditëse në “Krahu i Shqiponjës” është shkruar: “Bilal Xhaferri, editori i revistës “Krahu i Shqiponjës”, ndërsa shkonte në mbledhje për kremtimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, u sulmua në errësirë nga tre njerëz të panjohur. Shokët që e prisnin në mbledhje, të shqetësuar nga vonesa e tij, dolën ta kërkonin dhe e gjetën në rrugë, të plagosur në kokë dhe në fytyrë dhe me një prerje thike në brinjë. Policia që u lajmërua dhe mbërriti menjëherë e shpuri të plagosurin në spital” (“Krahu i Shqiponjës”, 1985, maj).

Një herë e një kohë, mbase për frikësim, në Shqipëri u përhap një tashethem rrënqethës, sikur Kadri Hazbiu ishte shprehur se Bilal Xhaferrin do ta sjellim këtu të gjallë a të vdekur. Dhe vërtet që sigurimi i shtetit shqiptar nuk i ndahej as në Amerikë, siç tregojnë miqtë e tij.

Një goditje dërrmuese akoma më e rëndë për Bilalin ishte djegia e redaksisë më 1981 për të cilën ka shkruar në revistën “Krahu i Shqiponjës”: “Një zjarr që ra në ndërtesën ku ishte vendosur “Krahu i Shqiponjës” dogji të gjitha dosjet dhe koleksionet tona. Një tragjedi personale ishte kjo për Bilal Xhaferrin, i cili humbi atje librat dhe dorëshkrimet e tij, vëllime të plota letrare, studime, kërkime shkencore, përkthime, shënime politike, letra, piktura, fotografi, punë dhe përpjekje të dhjetë vjetëve të vështira të mërgimit” (Krahu i Shqiponjës” 1981, janar-shukurt).
Në muajin shtator 1986, një mëngjes, befas Bilali bie pa ndjenja. E shpunë urgjent në spital. U diagnostikua me tumor në kokë. E operuan, por disa ditë pas operacionit vdiq në spitalin e Çikagos, më 14 tetor 1986.

Bashkatdhetarët, të njohur e të panjohur, shokët e miqtë shqiptarë e të huaj, si dhe shtypi i mërgimit e përcollën me nderime të mëdha.
Romani "Krastakraus", i dorëzuar për botim më 1967, u botua vetëm më 1993, në Tiranë prej Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”.

Më 3 maj 1995, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen “Martir i Demokracisë” (Dekreti nr. 1089), me motivacionin "Për përkushtim si publicist e politikan disident në luftën kundër komunizmit e diktaturës, për aspiratat e tij thellësisht kombëtare e demokratike".
Më 6 maj të vitit 1995, unë, si drejtues i Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri", në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, inicova dhe organizova ceremonialin e rikthimit në Atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.

“Bilal Xhaferri ishte një shkrimtar i rrënjëve të etnisë në vitet gjashtëdhjetë, kur letërsia shqipe ose lavdëronte idetë e socializmit, ose fitoren në Luftën e Dytë, duke e thjeshtësuar këtë në absolutin ideologjik të përparimit. Në këtë aspekt, Xhaferri duket i vetmuar për kohën, duket i lidhur me letërsinë e paraluftës, po ai të kaluarën nuk e shikon në stilin e himnizimit e të lavdit, si mbështetje për problemet aktuale, po pikërisht duke marrë një qëndrim kërkues e kritik për të kapur esencat krahas situatës kalimtare. Në këtë vështrim, kërkimi letrar i Bilal Xhaferrit në të shkuarën, në rrënjët etnike, nuk bëhet si shpalim dhe fascinim me të kaluarën, po pikërisht si kërkim për të bërë ndërkomunikime të kohëve”... (Sabri Hamiti) në "Poeti i nemun: Bilal Xhaferri"

Shefki Hysa

No comments:

Post a Comment